Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    TËRË

    If.
    1. filoz. Kategori filozofike që pranon bashkësinë e sendeve e të dukurive, të cilat janë në lidhje të ngushtë e të qëndrueshme ose që pranon njësinë e dukurive gjatë zhvillimit nga një shkallë në tjetrën. Pjesa dhe e tëra. Nga e pjesshmja tek e tëra. Bota është një e tërë organike.
    2. Diçka e plotë, diçka e tërë dhe e pandarë, tërësi. E hoqi (e shkëputi, e ndau) nga e tëra. E ndau të tërën në katër pjesë. Një e tërë ka dy gjysma.
    IImb.
    1. Që merret i plotë e i pandarë, që përbën një tërësi të pandarë, jo i pjesshëm; që është në tërësinë e tij, pa i hequr a pa i përjashtuar asnjë pjesë, pa lënë jashtë asnjë; i gjithë. Numër i tërë. Njësi e tërë. Shumë e tërë. Bota e tërë. Fshati i tërë. E tërë toka (krahina, ara, fusha). Një ditë (një javë, një muaj) të tërë. Me vite të tëra. Erdhën të tërë. Të tërë janë gati.
    2. përd. em. sipas kuptimit të mbiemrit. U prish i tërë. U ngrit i tëri në këmbë. Populli votoi i tëri. U përqendrua e tëra. Shfrytëzohet e tëra.

      Shprehje

      • Mbaroi me të tëra humbi gjithçka, nuk i mbeti asgjë, mori fund.
    IIIpakuf.
    1. Që është në tërësinë e tij, pa i hequr a pa i përjashtuar asnjë pjesë, pa lënë jashtë asgjë, i gjithë, i plotë, jo i pjesshëm. Tërë bota (vendi, krahina, fshati, lagjja). Tërë shkolla. Tërë njerëzit (populli, shokët, nxënësit). Tërë ditën (natën, javën, muajin, vitin). Tërë kohën. Tërë jetën. Tërë atë ditë (atë natë, atë kohë). I thirri tërë miqtë. E kam me tërë mend. E hëngri tërë bukën (gjellën). E piu tërë gotën (qumështin, ujin). E shtyu me tërë fuqinë.
    2. Përdoret pranë një përemri dëftor për të treguar shkallën më të lartë të një tipari; gjithë. Tërë ajo punë. Tërë ai gëzim. Tërë ato të mira.
    3. përd. ndajf. Përdoret në trajtën e pashquar të një emri në kuptimin «krejt, plot; gjithë». Erdhi tërë gëzim (tërë qejf). Ishte tërë inat. Vendi ishte tërë bar (lule). Mishi ishte tërë kocka (dhjamë). E kishte fytyrën tërë preka. Ishte bërë tërë gjak (baltë, djersë).
    4. përd. pj. Krejt, njësoj si dikush tjetër nga vetitë fizike a morale; gjallë, gjithë, Ishte tërë i ati (i vëllai). Ishte tërë e ëma (e motra).

      Shprehje

      • Me tërë forcën (me forcë) shih te FORC/Ë,~A. Me tërë (me plot) kuptimin e fjalës shih te FJAL/Ë,~A. E ka me tërë (me gjithë) mend shih te MEND,~TË. Tërë (gjithë) sy e veshë shih te SY,~RI.