Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    RRËMBEJ

    kal.
    1. Marr me dhunë diçka a dikë dhe e çoj tutje, e grabit; ia heq nga duart me forcë a kundër dëshirës, ia marr me forcë. U rrëmbenin bagëtinë. U rrëmbenin tokën (prodhimet). Ua rrëmbyem armët pushtuesve. Dikur i rrëmbenin nuset. Në vendet kapitaliste i rrëmbejnë njerëzit (fëmijët) në mes të ditës. Ia rrëmbeu nga duart. Skifteri rrëmbeu një pulë. Rrëmbeu ç`mundi. Kush e kush të rrëmbente më shumë.
    2. fig. I heq dikujt një të drejtë etj. duke përdorur dhunën; shtie në dorë me forcë, përvetësoj. I rrëmbyen lirinë (pavarësinë). I rrëmbeu të drejtat. I rrëmbyen fitoret. I rrëmbeu rastin. Rrëmbyen pushtetin.
    3. vet. veta III. Merr me vete me forcë a me vrull dhe e çon tutje; e përfshin, e përlan. I rrëmbeu deti (vala, lumi). E rrëmbeu era (furtuna). E rrëmbyen flakët.
    4. vet. veta III fig. I merr jetën, e merr, e përlan. E rrëmbeu sëmundja. E rrëmbeu vdekja. E rrëmbeu brenda pak ditësh (pa mëshirë).
    5. Kap diçka me vrull e shpejt, e marr shpejt dhe e shtrëngoj fort për të kryer një veprim; rrok. Rrëmbej pushkën (shpatën). Rrëmbej kazmën (lopatën, sëpatën, kërrabën). Rrëmbej penën (për të shkruar). Rrëmbej shkopin (mashën). Rrëmbej shishen (gotën). E rrëmbeu për këmbësh (nga krahët). E rrëmbeu në krahë (në gjoks).
    6. fig. E bëj për vete dikë, i fitoj zemrën dikujt. I rrëmbeu zemrën. Ua rrëmbeu mendjen të gjithëve. I rrëmbeu me sjelljen e tij (me zërin e tij).
    7. vet. veta III fig. Më pushton diçka me forcë, më tërheq tërësisht, më bën t'i kushtohem me gjithë shpirt; më thith. E rrëmbeu kënga (muzika). Më rrëmbeu libri (filmi). E rrëmbeu puna (lufta, vrulli, hovi i rinisë). E rrëmbeu vala e përgjithshme. Më rrëmbeu gjumi. Bukuri që të rrëmben. Fjalët e tij të rrëmbejnë.
    8. fig. Nxjerr me mund e me djersë, ia marr me punë të madhe. E rrëmbejnë bukën nga shkëmbi. I rrëmbejnë tokës mineralin.
    9. edhe jokal. fig. bised. Kuptoj shpejt, e kap menjëherë mendimin e një tjetri. Rrëmben shpejt ai djalë. Ta rrëmben (ta merr) fjalën nga goja e kap menjëherë mendimin, është shumë i zgjuar e i mprehtë.
    10. vet. veta. III fig. bised. Kap rrëshqitazi, rrok kalimthi e vetëm pjesërisht, zë. Ma rrëmbeu veshi. Ma rrëmbeu syri.
    11. vet. veta III. E përcëllon, e përskuq a e djeg pak (diçka që piqet në zjarr). E rrëmbeu saçi (flaka, zjarri, furra) bukën (mishin, tavën).
    12. jokal. vet. veta III bised. Kapërcen pak nga madhësia, nga mosha etj., është pak më tepër. Rrëmben nga i ati dy gisht. Po rrëmbente nga të gjashtëdhjetat.
    13. vet. veta III jokal. Peshon, rëndon nga njëra anë, anon. Kandari rrëmben pak këtej.
    14. jokal. Prirem nga një anë, marr anën e dikujt, anoj. Ai rrëmben pak nga vetja.

      Shprehje

      • Rrëmbej (rrok) armët (pushkët) ngrihem në luftë, ia filloj luftës; ngjesh armët. Ia rrëmbeu fjalën dikujt e ndërpreu, nuk e la të fliste më tej. I rrëmbej kohën dikujt e bëj të humbasë kohën kot për shkakun tim, e mbaj me fjalë të kota, nuk e lë të punojë, i ha kohën. Është për t'i rrëmbyer (për t'i prerë) kokën është shumë e bukur, e mirë sa s'bëhet (zakonisht për vajzat). E rrëmbeu (e vodhi) me sy dikë shih te SY,~RI. Ta rrëmben (ta merr) fjalën nga goja shih te MARR. I rrëmbeu (i mori) kafshatën nga goja dikujt shih te KAFSHAT/Ë,~A. Po i dhe (po i zgjate) gishtin, të rrëmben (të merr) dorën shih te GISHT,~I. Të jep një thelë e të rrëmben (të merr) një pelë keq. shih te THEL/Ë,~A. Po i hape derën, të rrëmben shtëpinë shih te DER/Ë,~A. Kujto (zër në gojë) qenin, rrëmbe (bëj gati) shkopin fj. u. shih te QEN,~I.