ÇOJ I
kal.
- E marr me vete dhe e përcjell deri në një vend tjetër ose deri te dikush, shpie; e nis dikë që të shkojë deri në një vend për një qëllim, për të bërë një punë, për të mbaruar një porosi etj., dërgoj; kund. sjell. E çoi djalin në fshat. E çoi në shtëpi. E çoi në punë (në luftë). Çoj në shkollë (në aksion). E çoi me shërbim. I çoi krushqit. E çoi me lopë (me dhen). E çoj për dore. E çoj zvarrë.
- Bart deri te një vend ose deri te dikush për ta lënë atje; nis me një njeri, me një mjet ose me një mënyrë tjetër deri në një vend tjetër ose deri te dikush, dërgoj; kund. sjell, bie. I çoj librin (gazetën). I çoj një letër (një telegram); I çova ca plaçka. Ia çoi drutë. I çoj kafen. I çoi të hajë e të pijë. I çoj me postë diçka. Ma ço me djalin. Ia çoj në shtëpi (në shkollë, në punë). E çoj në vend. I çuan me anije (me tren).
- Ia bëj të njohur diçka nëpërmjet një njeriu ose me letër, njoftoj nga larg; i shpreh nëpërmjet dikujt ose me letër urime, përshëndetje etj., i dërgoj nga larg. I çoj fjalë (haber). I çoj zë për diçka. I çoj të fala (përshëndetje, urime).
- E drejtoj diçka që të shkojë a të godasë në një vend ose në një shenjë, dërgoj. E çoj në shenjë. Çoj topin në rrjetë. Çoj plumbin në tabelë. Çoj sytë (vështrimin) hedh sytë, shoh në një drejtim.
- vet. veta III. Lë të kalojë nëpër të në një drejtim të caktuar, shpie. Kanali e çon ujin shumë larg. Gypat e çojnë lëngun te kazanët. E çon rrymën elektrike deri në fshatrat më të largëta.
- vet. veta. III. Të drejton në një vend të caktuar, të shpie. Rruga të çon në fshat. Kjo udhë të çon në Shkodër. Ku të çon kjo kthesë? Të çon në veri (në jug).
- fig. Udhëheq në një drejtim; ndihmoj që të zhvillohet, të përparojë, të ecë; shpie. E çoj drejt fitores. E çon përpara revolucionin. E çoi në rrugë të drejtë. Përpiqet ta çojë prapa.
- Bëj që të arrijë në një përfundim të mirë ose të keq, e shpie në një gjendje të caktuar; vet. veta III ka si rrjedhim a si pasojë; shpie. E çoi në litar (në greminë, në varr). E çoi në fitore (në shkatërrim të plotë). E çoi dëm diçka e prishi, e dëmtoi. Këtu të çon kokëfortësia (mendjemadhësia, pakujdesia).
- E shpie deri në një cak a në një shkallë; rrit a zmadhoj deri në një numër. E çoi numrin e golave në pesë. E çoj numrin e lopëve deri në dyqind. E çoi në kulm. E çoj deri në fund. E çoj më tej (më përpara).
- vet. veta III. Më bën të shkoj diku, më detyron të vete, më shpie. Më çon puna. Më çoi detyra. E çoi nevoja (halli).
- Kaloj a shkoj kohën; kaloj jetën; jetoj në një mënyrë të caktuar; rroj; shpie. E çon shumë mirë në fshat. E çoi jetën në mërgim. Si ja çoni andej? Si ia çon me punë? Ka çuar jetë ka rrojtur mirë. Si ia çoni me fqinjët? Ia çoj mirë (keq).
- vet. veta III. jokal. bised. Shkon edhe ca kohë, përdoret diçka edhe për një farë kohe; rron. E çojnë edhe ca muaj këto këpucë. Nuk më kanë çuar shumë (gjatë).
- bised. E vazhdoj a e zgjat diçka për një farë kohe; jokal. zgjat a vazhdon për një kohë të caktuar. E çoi gjatë kuvendin (bisedën). E çuan gjatë luftën. Nuk e çon shumë kjo luftë. S'po e çojmë më tutje (më tej) nuk po e zgjatim më bisedën, po e lëmë me kaq.
- bised. E gëlltit a e kapërcej në grykë një ushqim; e shkoj poshtë a e thith në mushkëri. S'e çoj dot më bukën. Mezi e çoj duhanin e fortë.
- bised. Drejtoj a ngas një kafshë pune ose një mjet transporti a udhëtimi; nis. Çoj qetë (kuajt). Çoj biçikletën. E çoj makinën (veturën): S'di ta çojë mirë!.
Shprehje
- Çoj më andej (më tej) e shpie më përpara diçka, bëj që të arrijë në një cak më të përsosur. E çon batbat diçka shih te BATBAT. E çuan (e shpunë) dardhë! shih te DARDH/Ë,~A. E çoi (e dërgoi) në djall (në dreq) dikë a diçka thjeshtligj., keq. shih te DJALL,~I. E çoi (e shpuri) fjalën për dikë a për diçka shih te SHPIE. S'e çon (nuk e shpie) më gjatë shih te GJATË. E çoj (e shpie) mendjen diku a te dikush e sjell ndër mend diçka a dikë, nis të mendoj për diçka a për dikë. E çoi poshtë dikë a diçka shih te POSHTË. E çoi (e nxori, e pruri) rruga (udha) shih te RRUG/Ë,~A. E çon trashë dikush shih tek TRASHË. E çoi në varr dikë shih te VARR,~I. E çoj (e shpie) në vend (një fjalë, një urdhër, një porosi etj.) shih te VEND,~I. E çoj (e marr, sjell)për veshi dikë shih te VESH,~I. Të çon (të shpie, të hedh) degë më degë shih te DEG/Ë,~A. E çofshin me katër veta! mallk. vdektë! Mos e çoftë kryet (kokën) shëndoshë! mallk. vdektë! Ku të çon (të shpie) mushka! shih te MUSHK/Ë,~A. Çon (shpie) ujë në mullirin e dikujt shih tek UJ/Ë,~I. Ta çon (ta shkon, ta lëshon, ta fut, ta kalon) ujin nën rrogoz (nën hasër, nën vete) shih te RROGOZ,~I. E çoi në vend të vetën shih te VEND, ~I. Çon një pelë e ha një thelë fj. u. shih te PEL/Ë,~A.