Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    FJALË

    f.
    1. gjuh. Njësia e mëvetësishme më e vogël e gjuhës, tërësi e pandashme e tingëllimit dhe e kuptimit e formësuar nga ana gramatikore, që pasqyron në mënyrë të përgjithësuar e shënon sende e dukuri të realitetit dhe riprodhohet e veçohet në rrjedhën e ligjërimit. Fjalë shqipe. Fjalë e huaj (e huazuar). Fjalë e re (e rrallë, krahinore, e vjetërsuar). Fjalë ndërkombëtare ndërkombëtarizëm. Fjalë librore (diturore). Fjalë e parme (e prejardhur, e përngjitur). Fjalë shënuese (emërtuese, ndihmëse, shërbyese). Fjalë e ndërmjetme. Fjalë e ndryshueshme (e pandryshueshme, e palakueshme). Fjalë me shumë kuptime. Kuptimi i fjalës. Trajta e fjalës. Theksi i fjalës. Përdorimi i fjalës. Formimi i fjalëve. Prejardhja e fjalës. Çerdhe fjalësh. Rendi i fjalëve në fjali. Mbledhja e fjalëve. I ha fjalët i shqipton fjalët në mënyrë jo të plotë. Ndaj fjalën në rrokje.
    2. Diçka që i thuhet një tjetri; thënie; pohim; bisedë. Fjalë të ngrohta (të ëmbla, të buta, përkëdhelëse). Fjalë të ashpra (të rënda, fyese, të ndyra, poshtëruese). Fjalë mashtruese (joshëse). Fjala e mësuesit. Fjalë pas fjale. Fjalë me vend. Thuaj një fjalë! Jemi në një fjalë me atë. Bëj (shkëmbej) fjalë bisedoj. Fjala nxjerr (sjell, pjell) fjalën: gjatë bisedës dalin gjëra të reja, duke biseduar për diçka, bie fjala edhe për diçka tjetër. Fjala është më e rëndë se plumbi. fj. u. Zihej (grindej, hahej) me fjalë. I ktheu fjalë. S'tha as gjysmë fjale s'foli fare. E mori fjalën prapa. S'e kthen fjalën (mbrapsht).
    3. Këshillë a porosi që i jepet dikujt; udhëzim, urdhër, vendim. I shkon (i ecën, i zë vend, i ngjit) fjala: e dëgjojnë të tjerët, i zbatojnë këshillat, udhëzimet a dëshirat e tij. Fjala e tij ishte ligj. Ia dëgjojnë fjalën. Nuk ia bën fjalën dy: e zbaton menjëherë atë që i thotë dikush, i bindet menjëherë. Ia ktheu fjalën: nuk iu bind, e kundërshtoi.
    4. Premtim a zotim për të bërë diçka; premtim a diçka e thënë, që nuk shoqërohet me punë a me vepra ose që nuk zbatohet. Fjala e dhënë. Fjala e nderit. Fjala dhe vepra. Njeri i fjalës njeri që e mban zotimin. Fjalë të mira e gurë në trastë (në torbë, në thes) përdoret kur dikush bën të kundërtën e asaj që thotë. Ka dhënë fjalën. E mban fjalën. E ktheu (e hëngri, e shkeli) fjalën. Luajti nga fjala (i luajti, i bëri bisht fjalës) nuk e mbajti zotimin. I doli nga fjala nuk e mbajti premtimin që i dha. Fjala e burrit, pesha e gurit. fj. u. Burri lidhet prej fjalësh, kau (demi) prej brirësh. fj. u. E mbante me fjalë. Duhet punë e jo fjalë. Vetëm me fjalë s'bëhet gjë. S'e bën fjalën dy (dysh).
    5. Marrëveshje ndërmjet dy a më shumë njerëzve ose ndërmjet dy palëve; besë. Fjalë trimash (burrash). Prenë fjalën caktuan ditën kur do të bëhet martesa a diçka tjetër. Lidhën fjalën. Ranë në fjalë. E bënë me fjalë. E gjeti fjalën me dikë u mor vesh me dikë, ra në ujdi, gjeti një gjuhë të përbashkët. Siç e kemi bërë fjalën. E lë me fjalë me dikë.
    6. Bisedë që bëhet me një tjetër, diçka që thuhet a që tregohet; muhabet (edhe në një varg njësish frazeologjike). Në fjalë e sipër duke folur, gjatë bisedës. Lërini fjalët! Ngas fjalën nxit bisedën, e zhvilloj më tej një bisedë. E la fjalën përgjysmë. Me që ra (me që erdhi) fjala... duke marrë shkas nga biseda, me këtë rast. E hodhi fjalën për dikë a për diçka. Sa për t'u gjendur në fjalë. E zuri (e kapi) në fjalë. E hodhi fjalën gjetkë. U ngjitet fjala u shkon muhabeti me njëri-tjetrin. Ma pruri (ma solli, ma nxori) fjalën në shteg e solli bisedën atje ku desha unë. Ia sjell (ia bie, ia hedh) fjalën rrotull (larg e larg).
    7. Diçka e thënë që s'duhet të bisedohet me të tjerë; diçka që thuhet vesh më vesh nga njëri tek tjetri; thashetheme. U hap fjala. I nxorën fjalë. Dolën fjalë. E bëri me fjalë dikë e bëri me turp, e përfoli. Fjala ka këmbë. fj. u. Mori fjala dheun (dynjanë). Doli fjala nga dhëmballa, mori njëzet e shtatë mëhallë. fj. u.
    8. Njoftim, lajm. Dërgoj (çoj) fjalë. Lë fjalë. I bëj fjalë dikujt e njoftoj, e lajmëroj. Pruri fjalë. Erdhi fjala.
    9. Fjalim a ligjëratë që mbahet para të tjerëve; pjesë nga ky fjalim; e drejta për të folur, për të shfaqur mendimet përpara të tjerëve. Fjala e hapjes (e mbylljes). Fjala e rastit. E drejta (liria) e fjalës. Marr fjalën flas. Mbaj fjalën. Kërkoj fjalën. I jap fjalën dikujt e lejoj të flasë; e ftoj të flasë. Ia ndërpreu (ia preu) fjalën.
    10. Aftësia për të shprehur diçka me gojë ose me shkrim; të folurit; gjuha, ligjërimi. Fjala artistike gjuha që përdoret nga një shkrimtar në një vepër letrare; mjeshtëria artistike e të folurit në skenë. Njeri i fjalës njeri që shprehet qartë e bukur. Forca e fjalës. Mjeshtër i fjalës. Kultura e fjalës. Kujdesi për fjalën. Fjala shqipe tingëllon bukur. Arma e tij ishte fjala.
    11. Teksti i një kënge ose i një pjese muzikore. Fjalët dhe muzika.

      Shprehje

      • Në fjalë për të cilën a për të cilin flitet a bisedohet.
      • Me një fjalë shkurt; në mënyrë të përmbledhur.
      • Pa fjalë (s'do fjalë) pa dyshim, s'ka dyshim.
      • Bëj fjalë për diçka flas për diçka, trajtoj diçka.
      • Bëri (shkëmbeu, këmbeu, ndërroi) fjalë me dikë u grind me dikë, u zu me fjalë.
      • S'bën fjalë nuk ndihet; nuk ankohet e nuk kundërshton, pranon ç't'i japësh etj.
      • S'e bëj për fjalë (për zë) nuk i tregoj askujt diçka që nuk duhet thënë, nuk flas me njeri për diçka që duhet mbajtur e fshehtë.
      • Bie fjala për shembull, fjala vjen.
      • I ra në fjalë dikujt i preu fjalën.
      • E drodhi fjalën shih te DREDH 7.
      • Fjalë ari shih tek AR,~I.
      • Fjalë në erë (në hava) shih tek ER/Ë,~A I.
      • Fjalë për fjalë pa ndryshuar asgjë nga ajo që është thënë a është shkruar, një për një.
      • Fjala e fundit a) arritja më e re dhe më e lartë në një fushë të shkencës, të teknikës ose të kulturës; b) mendimi përfundimtar që vendos për diçka; mendimi i fundit.
      • Një fjalë goje duket shumë e lehtë, por në të vërtetë është e vështirë (për një punë etj.).
      • Fjalë e hale thashetheme.
      • Me fjalët e mia pa i përmendur të gjitha e një për një ato që kam lexuar a kam dëgjuar, në mënyrë të përmbledhur.
      • Me fjalën e parë në çast, menjëherë, me të thënë.
      • Fjalë petake shih te PETAK,~E.
      • Fjalë rrumbullake shih te RRUMBULLAK,~E.
      • Me fjalë të tjera shkurt, domethënë; ndryshe.
      • Fjala vjen për shembull, bie fjala.
      • Fundi i fjalës shih te FUND,~I.
      • I gdhend (i tjerr) fjalët matet mirë kur flet, flet me mend.
      • I gëlltiti (i hëngri, i përpiu) fjalët shih te GËLLTIT.
      • Gjuhen me fjalë e ngacmojnë a e thumbojnë njëri-tjetrin me fjalë.
      • Me gjysmë fjale pa qenë i vendosur; me druajtje e me frikë, me gjysmë zëri.
      • I hyri në fjalë dikujt e kuptoi, e mori vesh.
      • Kërkon fjalë dëshiron të grindet me dikë, kërkon sherr.
      • Iu lidh (iu pre) fjala (goja, gjuha) shih te LIDHEM.
      • Lojë fjalësh shih te LOJ/Ë,~A I.
      • Luan me fjalë a) flet me fjalë të tilla që fshehin qëllimin e vërtetë, dredhon me fjalë; nuk mban qëndrim serioz, nuk e merr me gjithë mend diçka, e quan si lojë; b) përdor fjalë të afërta nga tingëllimi e nga kuptimi për të bërë përshtypje tek të tjerët.
      • I mpreh fjalët me dikë shih te MPREH.
      • I përdredh fjalët shih te PËRDREDH.
      • I përpoqi fjalët me dikë shih te PËRPJEK.
      • I përtyp (i përçap) fjalët shih te PËRTYP.
      • I puqi fjalët me dikë shih te PUQ.
      • Ia rrëmbeu fjalën dikujt shih te RRËMBEJ.
      • I trashën fjalët shih tek TRASH.
      • Trazoi fjalë me dikë shih tek TRAZOJ.
      • I thartuan fjalët shih te THARTOJ 5.
      • I thyen (i prishën) fjalët shih te THYEJ.
      • Ul fjalët (zërin) shih tek UL.
      • I bën dredha fjalës shih te DREDH/Ë,~A.
      • M'u bë fjala lak shih te LAK,~U.
      • S'i bie fjala në (për) tokë (përdhe) shih tek TOK/Ë,~A.
      • S'lë fjalë të bjerë në tokë shih tek TOK/Ë,~A.
      • Nuk di fjalë (llafe) shih te DI.
      • Di (është i zoti) të gdhendë fjalë shih te GDHEND.
      • Fjalët i merr era fj. u. shih tek ER/Ë,~A I.
      • I humbi fjala nga goja u habit shumë, u hutua fare sa s'mund të fliste, iu pre goja, iu mpi gjuha.
      • I ka fjalët me grosh (ka fjalë e grosh) shih te GROSH,~I.
      • I ka fjalët të shkurtra shih te SHKURTËR (i, e).
      • Kam një fjalë më tepër shih tek TEPËR.
      • Në kuptimin e gjerë të fjalës duke e kuptuar gjerë atë që thuhet.
      • Në kuptimin e ngushtë të fjalës duke e kuptuar ngushtë atë që thuhet.
      • Në kuptimin e plotë të fjalës ashtu siç thuhet; me të vërtetë, pa hequr e pa zvogëluar gjë.
      • Në kuptimin e vërtetë të fjalës me të vërtetë, ashtu siç duhet.
      • Nuk e lëshon fjalën nga goja shih te LËSHOJ.
      • I lëshon fjalët veresie keq. shih te VERESIE 2.
      • I lidh fjala komb (nyjë) dikujt nuk mundi të fliste, nuk nxirrte dot një fjalë nga goja.
      • Ta merr (ta rrëmben) fjalën nga goja shih te MARR.
      • I merr fjalët nga këmbët shih te KËMB/Ë,~A.
      • E mori ferra fjalën shih te FERR/Ë,~A.
      • I mbeti (i ngeci, i ngriu) fjala në buzë (në gojë, në grykë, në fyt) nuk mundi të fliste më, nuk arriti ta mbaronte fjalën.
      • Ia zuri fjalën në gojë shih te GOJ/Ë,~A.
      • Ndal diellin me fjalë është llafazan i madh.
      • Me plot (me tërë) kuptimin e fjalës me të vërtetë.
      • I priste fjalët me sëpatë shih te SËPAT/Ë,~A.
      • I tërheq fjalët zvarrë a) flet ngadalë si i plogët, flet me përtim; b) e zgjat dhe e zvarrit mbarimin e një pune.
      • Them (kam) fjalën time a) luaj rolin që më takon; b) kam të drejtën time, kam mendimin tim.
      • I vuri jastëk fjalës shih te JASTËK,~U.
      • U vë shenjë fjalëve të dikujt shih te SHENJ/Ë,~A.
      • Fjalët të ëmbla, punët të tharta të premton shumë, por s'të mbaron punë.
      • I merr fjalët e i vë në rabush shih te RABUSH,~I.
      • S'lidh (s'bën) dy fjalë bashkë shih te BASHKË.
      • Vret gjetkë fjala e tij (ai) shih te VRAS.
      • Fjalë fluturake e thënë a shprehje, që përmban një mendim a gjykim përgjithësues të spikatur dhe që njihet e përdoret gjerësisht.
      • Fjalë e përbërë gjuh. shih te PËRBËRË (i, e).
      • Fjalë e urtë folk. a) proverb. (Fjalët e urta të popullit. Mbledhja e fjalëve të urta. Libër me fjalë të urta. Një fjalë e urtë thotë...); b) shprehje e njohur me kuptim të njësishëm e zakonisht të figurshëm, që përgjithëson një vëzhgim a vlerësim për dukuritë e ndryshme të jetës, por që, ndryshe nga proverbi, nuk është një fjali tërësore; thënie e urtë (p.sh. «Si e ëma dhe e bija», «Ashtu i do mushka drutë» etj.).